Konferenca shkencore rekomandon filozofi të re për rekrutimin e oficerëve


Pano Hallo


Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes është qendra ku përpunohen programet mësimore dhe ku realizohet arsimimi i ushtarakëve të të gjitha rangjeve dhe niveleve. Është një nga investimet më serioze që ka bërë shteti shqiptar në 20 vitet e fundit.


Komanda u ngrit bazuar në traditën ushtarake të këtij vendi, por theksi ndër vite është vënë te përshtatja e programeve mësimore të ushtrisë sonë me ato të vendeve më të përparuara të NATO-s.


Në raportin përfundimtar të Samitit të Pragës, në vitin 2002, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lordi Robertson, pasi vlerësoi përparimet e Shqipërisë në reformat e FA, theksoi: “Ndryshoni mentalitetin. Në NATO do të hyhet me kapital njerëzor të ndryshuar dhe jo me topa e aeroplanë”.


Sipas specialistëve, rekrutimi i plotë i oficerëve nga sistemi kombëtar universitar civil kërkon një filozofi të re, një shtrirje të re të programeve dhe një mendim bashkëkohor, duke studiuar më së pari programin që zhvillohet në UT, por edhe se si duhet të ndërtojmë ne programin në vazhdim për oficerin e ri.


Aktualisht në Akademinë e Mbrojtjes janë akredituar edhe dy programet “Master Profesional” dhe “Master Shkencor” në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes”, të cilët në bazë të ligjit “Për arsimin e lartë në RSH”, realizohen kurset e larta të oficerit me 90 dhe 120 kredite me kohë të plotë. Ashtu siç realizohen masterat për nëpunësit në nivele të caktuara të institucioneve shtetërore me kredite të plota në kohë të pjesshme.


Pavarësisht “bumit” të masterave në vendin tonë, për “sigurinë”, “ustallarët” e punës për fushën e sigurisë dhe mbrojtjes janë deri tani vetëm ushtarakët.


Në ambientet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes së Forcave të Armatosura, këto ditë u mbajt konferenca shkencore me temë: “Rishikimi i programeve mësimore në institucionet e KDS”.


Skrupuloziteti dhe përgjegjshmëria e ushtarakëve është e njohur tanimë në këtë vend, e nuk ka nevojë për komente…


Është hera e dytë që ministri Imami në takime të gjera i përkushtohet këtij problemi. Prezenca e ministrit dhe e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, si dhe e gjithë gjeneralëve të tjerë, përveçse vlerësim për çështjen, tregon edhe shkallën e preokupimit për problemin e arsimimit të ushtarakëve. Merrte pjesë edhe zv/komandanti i KDS së Kosovës, kolonel Shaip Neziri.


E vërteta është që të gjitha vendet e NATO-s po rishikojnë programet e tyre të zhvillimit të mbrojtjes në kuadrin e zgjidhjes “smart defence” (mbrojtje e zgjuar). Kjo lloj zgjidhjeje mëton uljen e shpenzimeve të mbajtjes dhe të funksionimit të ushtrive, duke aftësuar mjeshtërisht kapacitetet operacionale e kryesisht elementin njeri në Forcat e Armatosura. Kjo ishte edhe tema kryesore e Konferencës së NATO-s që zhvilloi punimet para një jave në vendin tonë. Siç ishte e natyrshme, kumtesën kryesore me temën: “Rishikimi i programeve, domosdoshmëri dhe kërkesë për operacionalitet”, e mbajti komandanti i KDS-së, gjeneralbrigade prof.as.dr. Agim Lala, edhe me cilësinë e organizatorit. Por le të bëjmë një “udhëtim” të shkurtër në 20 vitet e fundit për arsimin ushtarak në vendin tonë.


 


Zvogëlimi i ushtrisë, problem social dhe mangësi te specialistët


Reformat e njëpasnjëshme të ndërmarra në kuadrin e zvogëlimit të ushtrisë dhe sjelljen e saj në parametrat e një force të aftë, e cila duhet të sigurojë realizimin e misionit që i ngarkon Kushtetuta, solli dy probleme njëherazi.


Problemi i parë ishte ai social, pasi oficerë të përgatitur duhej të ndërprisnin karrierën e tyre në një moshë relativisht të re, në moshën kur ata ishin në kulmin e pjekurisë dhe të përvojës për atë çka ishin përgatitur. Pra, ata duhet ta gjenin veten e tyre diku gjetkë në tregun e punës, i cili nuk ofronte asgjë të ngjashme me atë që kishin mësuar.


Problemi i dytë, jo më pak i rëndësishëm që lindi, ishin mangësitë e krijuara për specialistët përkatës nga dalja masive në reformë. Pra doli qartë se ata që iknin nuk ishin thjesht “kambale”, siç jo me mirësi etiketoheshin oficerë të kompletuar që kishin mbaruar fakultetet e ndryshme në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”. Edhe kur ishte me programin 3-vjeçar, por sidomos kur Shkolla e Bashkuar ishte me programin 4-vjeçar.