Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar me akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste gjatë një komunikimi me qytetarët, ku u ndal edhe te protestat që po zhvillohen në vend.
Berisha deklaroi se qeveria, sipas tij, e mban pushtetin duke u mbështetur te krimi, korrupsioni dhe trafiku i drogës. Ai akuzoi gjithashtu Ramën se është trembur nga protestat qytetare.
“Partia që drejton Edi Rama është themeluar mbi krimin. Për të mbajtur pushtetin ka kryer krime dhe sot Edi Rama, si narkodiktator, mbështetet te vjedhja e shqiptarëve, miliardat e eurove nga droga, korrupsioni dhe organizatat kriminale”, deklaroi Berisha.
Kreu i demokratëve u ndal edhe te reagimi i disa anëtarëve të Partisë Socialiste, të cilët, sipas tij, kanë djegur kartat e anëtarësisë në shenjë proteste ndaj reformës territoriale.
“Me këtë nuk dua të them se socialistët janë kriminelë. Absolutisht jo. Por udhëheqja e Partisë Socialiste qëndron në pushtet vetëm duke u bazuar te krimi, ndaj meriton të quhet parti krimi. Përshëndes të gjithë ata socialistë që kanë zgjedhur protestën dhe po djegin dokumentin e anëtarësisë”, u shpreh Berisha.
Deklaratat e kreut të Partisë Demokratike janë pjesë e qëndrimeve të tij politike në kuadër të protestave të opozitës dhe nuk janë shoqëruar me prova të paraqitura publikisht për akuzat e ngritura.
