Një tjetër banesë e kthyer në qendër prostitucioni është zbuluar në Tiranë, pas aksionit të ngjashëm në Durrës.
Policia ka zbuluar se një apartament në zonën e rrugës “Myslym Shyri” në kryeqytet, ishte marrë me qira nga dy shtetase kineze, të cilat ushtronin prostitucion. Dy gratë kanë rënë në pranga, teksa nën hetim janë 3 persona që kishin përfituar si klientë nga ky shërbim.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni i koduar “Foleja 6”. Ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira, arrestohen 2 shtetase nga Kina. Procedohen penalisht 3 shtetas, përfitues nga kjo veprimtari. Sekuestrohen shuma parash të dyshuara të përfituar nga kjo veprimtari dhe 2 celularë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, bazuar në informacionet e siguruara për një rast prostitucioni, kanë organizuar dhe finalizuar në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, operacionin policor të koduar “Foleja 6″. Në kuadër të operacionit u vunë në pranga shtetaset nga Kina H. Ë., 40 vjeçe dhe K. Sh., 38 vjeçe, pasi nga hetimet rezultoi se ushtronin prostitucion, në një apartament që e kishin marrë me qira, në rrugën “Mysylm Shyri”. Gjithashtu, nisi procedimi penal për 3 shtetas, përfitues nga kjo veprimtari.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
