Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion të koduar “Flats”, gjatë të cilit janë zbuluar tre apartamente të përdorura për ushtrim prostitucioni nga shtetase të huaja.
Si rezultat i ndërhyrjes, janë arrestuar tre shtetase të huaja, dy kineze dhe një vietnameze, ndërsa dy shtetas të tjerë janë proceduar penalisht për veprën “Prostitucioni”. Gjithashtu, gjatë operacionit janë sekuestruar dy celularë që përmbanin komunikime të lidhura me veprimtarinë e dyshuar.
Sipas policisë, hetimet kanë nisur pas informacioneve operative për ambiente të marra me qira dhe të vëna në dispozicion të ushtrimit të prostitucionit.
Në kuadër të operacionit, janë arrestuar shtetaset kineze K. S., 39 vjeçe dhe W. G., 42 vjeçe, të cilat dyshohet se kishin marrë me qira dy apartamente në Rrugën e Elbasanit me këtë qëllim. Ndërkohë, është arrestuar edhe shtetasja vietnameze T. (N. L.) V., 43 vjeçe, e dyshuar se kishte marrë me qira një apartament në rrugën “Vangjush Furxhi” për të njëjtën veprimtari.
Në vijim të veprimeve hetimore, policia ka nisur procedim në gjendje të lirë edhe për dy shtetas të tjerë të përfshirë në rast.
