Situata pranë Kryeministrisë ka dalë jashtë kontrollit, duke bërë që Policia e Shtetit të ndërhyjë me forca të shumta në terren.

Furgonë të mbushur me efektivë kanë mbërritur në zonë, ndërsa dhjetëra punonjës policie, disa prej tyre të pajisur me shkopinj gome, kanë mësyrë drejt protestuesve. Gjatë ndërhyrjes raportohet se janë kryer dhjetëra shoqërime.

Ndërkohë, në hapësirën e gjelbëruar mes Piramidës dhe Kryeministrisë, një person është shfaqur në gjendje të rënduar shëndetësore. Të pranishmit po i kryejnë masazh kardiak në përpjekje për ta rikthyer, ndërsa një vajzë tjetër ka shfaqur vështirësi fizike dhe po merr ndihmën e parë nga personat që ndodhen pranë saj.

E gjithë situata po zhvillohet në praninë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili ndodhet në bulevard, teksa ndërhyrja policore vijon mes tensioneve të larta.