Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë sërish thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e planifikuar për të shtunën, më 24 janar.

Gjatë një konference për media, Berisha iu drejtua qytetarëve, duke i ftuar ata që të dalin në sheshet dhe rrugët e Tiranës për të “dhënë leksionin e merituar” qeverisë aktuale.

Ai ka theksuar se protesta është një mundësi për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe për të kërkuar ndryshime. Kjo protestë pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha opozitare të këtij viti.


“Ndaj dhe jam sot këtu për t’u bërë thirrje qytetarëve shqiptarë, shpresa e fundit e Shqipërisë janë ata guximtarë që do vendosin të protestojnë gjer në largimin e Edi Ramës nga pushteti.

24 janari është një datë jashtëzakonisht e rëndësishme në përpjekjen për të rrëzuar këtë regjim, këtë organizatë kriminale që nuk njeh asnjë ligj, standard, Kushtetutë, normë apo standard.

Mbarë shqiptarët kudo që janë, njerëzit e lirë në Europë dhe në botë, presin me 24 janar fjalën e kryengritjes paqësore të qytetarëve të revoltuar të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.

Ndaj dhe në ora 5 të datës 24 janar ftoj çdo qytetar të Tiranës dhe mbarë vendit të mbushim sheshet dhe rrugët e Tiranës për t’i dhënë leksionin e merituar Edi Ramës dhe narkoregjimit të tij”, u shpreh ai.