Nënkryetari i Kuvendit dhe njëkohësisht i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka zhvilluar këtë të martë një takim në Mirditë, në kuadër të organizimeve politike të forcës së tij.
Në një reagim në rrjetet sociale, Gjekmarkaj ka bërë të ditur se strukturat e PD-së po vijojnë përgatitjet për protestën e paralajmëruar më 8 maj, duke ftuar qytetarët dhe në veçanti mirditorët që t’i bashkohen këtij aktiviteti.
Ai e ka cilësuar situatën aktuale në vend si një moment vendimtar, duke theksuar se protesta është një reagim ndaj qeverisjes dhe problemeve që, sipas tij, lidhen me shpopullimin dhe braktisjen e vendit.
“Me Kryesinë e PD-së, në një frymë bashkimi dhe mobilizimi, po vijojmë përgatitjet dhe thirrjen drejtuar çdo mirditori për t’iu bashkuar protestës kombëtare të 8 Majit.
Mirdita dhe mbarë Shqipëria janë sot përballë një momenti vendimtar. Mirditorët dhe çdo shqiptar i ndershëm janë të ftuar në reagimin mbarëpopullor kundër regjimit të Edi Ramës, kundër shpopullimit dhe braktisjes që po i bëhet vendit tonë.
Njëkohësisht, në Mirditë përmbyllet me sukses procesi i ristrukturimit të strukturave, duke hapur një kapitull të ri angazhimi, me energji të reja, përfaqësim dinjitoz dhe një organizim më të fortë në çdo cep të territorit”, shkruan Gjekmarkaj.
