Në mbledhjen e mbajtur sot të Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, ka mbajtur ‘fjalën’ edhe presidenti i saj Ilir Meta. Në një letër të shkruar nga burgu dhe të lexuar në mbledhje, Meta ndër të tjera u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së sotme të thirrur nga PD, para Kryeministrisë.
Letra e Metës:
Ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta të gjithëve ju sot në këtë mbledhje në prag të protestës kombëtare kundër pengmarrësit të Shqipërisë dhe korrupsionit të tij skizofrenik që nuk e mbulon dot më askush. Ju falenderoj për qëndresën dhe persistencën tuaj që ju nderon juve sot por edhe do të bëj krenarë në të ardhmen për ju dhe rolin tuaj edhe fëmijët tuaj. Sepse ju jeni në vijën e parë të betejës kundër një regjimi mafioz të implantuar për të shpopulluar Shqipërinë, për të shpërbërë vlerat më të mira të shoqërisë tonë e sidomos të familjes Shqiptare.
Ligji antifamilje është atentati më i rëndë që i bëhet identitetit dhe dinjitetit të çdo Shqiptari. Ndaj të gjithë pa dallime partiake, të ngrihemi për të shporrur këtë klikë sorrosiste pa atdhe, pa familje, pa zot dhe pa gjini. Ose më saktë ata kanë vetëm një “gjini” atë të kleptokratëve.
A e patë si avulloi prova e kantinës së verës prej miliona eurosh të koordinatorit famoz që është në kërkim. Besoj se e keni të qartë se çfarë ndodh me provat e atyre që janë në detyrë edhe pse të pandehur nga vetë drejtësia e tyre. E theksoj drejtësia e tyre sepse është produkt i 69 votave antikushtetuese të Edi Ramës dhe jo i 140 votave konsensuale që u arritën kundër vullnetit të Edi Ramës. Imagjinojeni sikur të ishin vërtetë përballë një drejtësie të pavarur!
A mund të kakariste maj plehut nje “gjel” që me firmën e tij paracaktoi fituese kompaninë e inceneratorëve që ende nuk ishte krijuar? A nuk ishte ky që e ktheu shumicën parlamentare në barrikadë ndaj kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të penguar arrestimin dhe kontrollin e banesës së ish-Ministrit të tij të Brendshëm?
Pasi aktroi për gjashtë vite me rradhë me drejtësinë e tij me regji duke I dorëzuar me marrëveshje shumë nga bashkëpunëtorët e tij, tani ka vendosur prapë të ngrejë barrikadën e 83 “Diellave” pëe pengimin e drejtësisë, jo se ka hallin e Lindave të tij, por vetëm të lëkurës së tij.
Ndaj të gjithë në rrugë për të shembur këtë barrikadë të kleptokracisë, këtë barrikadë të korrupsionit të organizuar të shkrirë në një më keimin e organizuar. Të gjithë të ngrihemi në këmbë për të shembur ligjin antifamilje dhe për të zbatuar e forcuar Ligjin Antimafie në mënyrë që t’i kthejmë popullit Shqiptar të gjitha lekët dhe pasuritë e grabitura nga organizata kriminale me kryetarin e saj. Misioni ynë është që Shqipërinë t’ua rikthejmë Shqiptarëve. Ky mision do përmbushet me çdo cmim. Mirënjohje të gjithëve për sakrificat dhe kurajon.



