Bilanci i protestës së sotme në Tiranë ka shkuar në 26 persona të lënduar, të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar të Traumës. Mes tyre ka efektivë policie, protestues dhe kalimtarë të rastit.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në orën 19:31, dy punonjës policie vijojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve.
Njëri prej tyre, me inicialet D.K., po mbahet në shërbimin e Neurokirurgjisë për monitorim të mëtejshëm, ndërsa gjendja e tij raportohet e mirë.
Më shqetësues është rasti i efektivit F.R., i ardhur nga Shkodra, i cili ka kryer ndërhyrje kirurgjikale pas një dëmtimi në kokë. Mjekët po ndjekin gjendjen e tij pas operacionit.
Në spital po trajtohen edhe dy protestues, të cilët raportohen në gjendje të mirë shëndetësore. Njëra prej tyre është një vajzë, e cila po mbahet në observim dhe paraqitet në gjendje stabël.
Ndërkohë, tre kalimtarë të rastit kanë mbërritur gjithashtu në Spitalin e Traumës, por fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndryshe paraqitet situata në QSUT, ku sipas njoftimit zyrtar nuk ka aktualisht persona të lënduar që po marrin trajtim mjekësor.
