Për më shumë se pesë orë, zona pranë Parlamentit u përfshi nga tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa në të njëjtën kohë deputetët socialistë zhvillonin seancën plenare pa praninë e opozitës.
Situata u tensionua pasi disa protestues hodhën vezë në drejtim të deputetëve të mazhorancës dhe automjeteve të tyre. Menjëherë pas incidentit ndërhynë forcat e policisë, të cilat kryen arrestimet e para dhe më pas përdorën spray lotsjellës për shpërndarjen e turmës.
Gjatë përplasjes pati momente kaotike, ku një automjet i policisë u dëmtua, ndërsa efektivët u angazhuan në ndjekjen e protestuesve në disa rrugë të kryeqytetit.
Pamjet e siguruara nga LSA tregojnë momentet më të tensionuara të protestës dhe ndërhyrjen e forcave të rendit në zonën përreth Parlamentit.







