Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar qytetarët amerikanë për protestën e opozitës që do të mbahet sot pasdite në orën 18:00, para Kryeministrisë. Në një njoftim të postuar në faqen e saj zyrtare, Ambasada u bën thirrje qytetarëve që të shmangin grumbullimin dhe të jenë të kujdesshëm për sigurinë e tyre gjatë protestës.
Ambasada gjithashtu këshillon të shmangin përdorimin e telefonave apo kufjeve që mund të i largojnë vëmendjen nga ngjarjet që po zhvillohen përreth. Ajo sugjeron gjithashtu të monitorojnë mediat lokale për çdo njoftim të mundshëm për ndryshime ose zhvillime në situatë.
Policia e Shtetit ka paralajmëruar se protestuesit mund të bllokojnë disa kryqëzime edhe në zona të tjera të Tiranës, duke shkaktuar vonesa dhe vështirësi në lëvizje. Për këtë arsye, personeli i Ambasadës është këshilluar të shmangë zonën e protestës.
