Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka mbërritur këtë të premte në ambientet e Kryeministrisë, në kuadër të koordinimit të planit të masave për protestën e paralajmëruar nga opozita. Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash, i cili parashikon angazhimin e forcave të shumta policore në pikat kyçe të kryeqytetit, veçanërisht pranë institucioneve kryesore shtetërore.

Ndërkohë, bëhet e ditur se të angazhuar për mbarëvajtjen e protestës janë angazhuar 1500 efektivë policie, gjithashtu janë vendosur edhe gardh metalik. Siç shihet nga pamjet në zonë është e vendosur edhe një ambulancë, si edhe autobote uji.

Po ashtu, prej orës 15:00 rrugët rreth Kryeministrisë do të jenë të bllokuara për shkak të protestës. Akset në të cilat ndalohet qarkullimi i mjeteve janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Rruga “Ukraina e Lirë”, Rruga “Papa Gjon Pali II”, Rruga “Ismail Qemali”. Nga ora 23:45 së enjtes është bllokuar lëvizja dhe penguar parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali.”

Kjo është protesta e shtatë kombëtare e organizuar nga PD, e cila kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama pasi ish-zëvendësja e tij, Belinda Balluku rezultoi e përfshirë në afera korruptive, ndërsa kërkesa e SPAK për arrestimin e saj u hodh poshtë me forcën e kartonëve nga mazhoranca.