Policia shqiptare përdori të premten topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë një protestë të dhunshme të organizuar nga Partia Demokratike, e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, raportoi France24.
Sipas raportimit, demonstruesit hodhën fishekzjarrë dhe bomba molotov në drejtim të godinës së qeverisë, duke sjellë ndërhyrjen e forcave të rendit. Mijëra mbështetës të PD-së u mblodhën fillimisht përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës.
Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se “do të shpëtojmë Shqipërinë nga Edi Rama”, duke e akuzuar për varfëri dhe korrupsion, por tubimi u tensionua dhe u ndërpre nga incidentet. Protestuesit marshuan më pas drejt Parlamentit, ku përplasjet me policinë dhe forcat anti-trazira vijuan për rreth dy orë në rrugët përreth.
Policia bëri të ditur se 30 persona janë arrestuar, ndërsa Partia Demokratike raportoi për 40 mbështetës të ndaluar. Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, dënoi aktet e dhunës dhe e cilësoi sulmin ndaj efektivëve si një “krim”.
Protesta zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, në një kohë kur disa çështje të korrupsionit, përfshirë hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe ish-zyrtarëve të tjerë, kanë rritur vëmendjen e Bashkimit Evropian mbi progresin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, në kuadër të procesit të integrimit evropian.
