Policia e Tiranës ka njoftuar se është informuar nga përfaqësues të Partia Demokratike e Shqipërisë për zhvillimin e një tubimi më 28 shkurt 2026, në orën 18:00, përpara godinës së Kryeministrisë.

Sipas njoftimit zyrtar, duke iu referuar incidenteve të ndodhura gjatë tubimit të mëparshëm – ku u evidentuan akte dhune, përdorim i mjeteve të rrezikshme ndaj efektivëve të policisë, pjesëmarrje e personave të maskuar si dhe përfshirje e të miturve – si edhe bazuar në informacione për mundësinë e përsëritjes së situatave të tilla, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të këtij tubimi.

Megjithatë, pavarësisht këtij qëndrimi, strukturat policore bëjnë me dije se kanë marrë masa për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në kryeqytet, për mbrojtjen e institucioneve shtetërore dhe për garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, në rast se tubimi do të zhvillohet.

Policia e Tiranës u ka bërë thirrje qytetarëve që të distancohen nga çdo veprim i dhunshëm dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri që mund të konstatojnë.