Policia e Shtetit bëri me dije se gjatë protestës së zhvilluar pasditen e sotme fillimisht para Kryeministrisë dhe më pas para Kuvendit, një grup protestuesish u përfshi në akte të dhunshme ndaj efektivëve të policisë dhe objekteve shtetërore.
Sipas njoftimit zyrtar, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për vetëpërmbajtje dhe distancim nga dhuna, disa protestues hodhën bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta, duke shkaktuar lëndime dhe djegie te punonjësit e rendit.
Si rezultat i përplasjeve, 16 efektivë policie u dërguan në spital për trajtim mjekësor. Policia thekson se gjatë gjithë tubimit ka vepruar për të garantuar rendin publik dhe sigurinë, duke mundësuar njëkohësisht ushtrimin e së drejtës kushtetuese për tubime paqësore.
Autoritetet njoftojnë se po vijon dokumentimi i çdo episodi dhune, me qëllim identifikimin dhe ndjekjen penale të përgjegjësve. Në fund të komunikatës, Policia e Shtetit falënderon qytetarët që u distancuan nga incidentet dhe mediat për pasqyrimin transparent të ngjarjeve.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit
Gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar pasditen e sotme para godinës së Kryeministrisë dhe më pas te Kuvendi, një pjesë e protestuesve kanë ushtruar akte të rënda dhune ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe institucioneve shtetërore.
Policia e Shtetit, gjatë gjithë zhvillimit të tubimit iu ka bërë thirrje me megafon protestuesve të dhunshme që të distancoheshin nga dhuna, por sulmet ndaj punonjësve të policisë kanë vijuar deri në përfundim të tubimit me bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta.
Si pasojë e sulmeve drejt Policisë u dëmtuan 16 punonjës Policie, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar djegie dhe dëmtime fizike.
Policia e Shtetit thekson se ka qenë e angazhuar gjatë gjithë tubimit për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për të siguruar ushtrimin e së drejtës kushtetuese të tubimit paqësor.
Strukturat ligjzbatuese po dokumentojnë të gjitha rastet e dhunës, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit, sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke falënderuar qytetarët që kanë bashkëpunuar dhe janë distancuar nga aktet e dhunshme, si dhe gazetarët dhe punonjësit e medias për transparencën që kanë ofruar për publikun.
