Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ishte i pranishëm në protestën e organizuar këtë të premte nga opozita, ku theksoi se zgjedhjet e 11 majit janë “vjedhur në mënyrë flagrante”, duke akuzuar për përdorimin e administratës publike dhe bandave kriminale në procesin zgjedhor.
“Përdorimi i administratës dhe bandave kriminale ishte faktori që ndikoi në tjetërsimin e votës shqiptare. A mund të pranohet kjo? Kurrën e kurrës!”, tha Noka, duke shtuar se sipas tij, edhe faktori ndërkombëtar e ka identifikuar problemin. Ai akuzoi qeverinë se ka blerë votat e pensionistëve me 100 euro dhe paralajmëroi se Partia Demokratike ka në dorë prova për manipulimin e zgjedhjeve.
Ndërkohë, edhe Belind Këlliçi, një tjetër përfaqësues i PD-së, deklaroi se “Rama nuk do ta gëzojë mandatin e vjedhur”. Sipas tij, kjo është një betejë që nuk ka kthim pas. “Këtu kanë vdekur institucionet zgjedhore dhe zgjedhjet e lira. Ne nuk do të tërhiqemi nga kjo betejë pasi është jetë a vdekje. Rama i zhyti duart aq thellë sa mori atë rezultat”, u shpreh Këlliçi.
