Policia e Shtetit ka bërë të ditura detaje zyrtare lidhur me personat e ndaluar pas protestës së zhvilluar ditën e djeshme përballë Kryeministrisë.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë protestës janë arrestuar katër persona dhe janë proceduar penalisht shtatë të tjerë, pasi dyshohet se kanë hedhur lëndë djegëse të improvizuara (molotovë) dhe kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës.
Po ashtu, policia bën me dije se materialet procedurale janë referuar në Prokurori, ku ka nisur procedim penal edhe ndaj shtetasit Ervin Minarolli, me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike. Sipas autoriteteve, ai dyshohet se, në cilësinë e përfaqësuesit organizativ të tubimit, nuk ka zbatuar detyrimet ligjore për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e protestës.
Procedimi është referuar në bazë të ligjit nr. 8773 “Për tubimet”, konkretisht neni 10, i cili përcakton përgjegjësitë e organizatorëve për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimeve publike.
Më datë 22.12.2025, rreth orës 18:00, subjekti politik Partia Demokratike zhvilloi një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Gjatë zhvillimit të tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që ishin të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur drejt tyre lëndë djegëse (molotovë).
Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 11 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. K., 39 vjeç, E. S., 36 vjeç, Xh. D., 38 vjeç dhe A. H., 38 vjeç;
-nisi procedimi penal për shtetasit: B. F., E. M., M. M., Sh. D., K. P., R. B. dhe një 16-vjeçar.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Ervin Minarolli, me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, pasi në cilësinë e përfaqësuesit organizativ të këtij subjekti, nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit Nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10.
3 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kënë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
