Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas protestave të studentëve që kanë vijuar në Tiranë, duke akuzuar opozitën për përshkallëzimin e tensioneve dhe duke paralajmëruar ndëshkim për personat që, sipas tij, janë përfshirë në ngjarjet e fundit.
Përmes një reagimi, Rama u shpreh se veprimet e dhunshme nuk përfaqësojnë studentët, të cilët i cilësoi si të ardhmen e vendit. Ai deklaroi se qeveria është e gatshme të dialogojë me ta dhe të diskutojë për gjetjen e zgjidhjeve për kërkesat e tyre.
“Rrënoja të duarve që nuk mund të jenë të studentëve. Studentët janë e ardhmja dhe janë ata që shohin larg e duan të shkojnë larg shpejt. Kanë të mirëpritur e për ta jemi gati të flasim e diskutojmë, të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë ia atribuoi tensionet opozitës, duke e akuzuar se po përpiqet të pengojë, sipas tij, përparimin e Shqipërisë përmes akteve të dhunës.
“Këto janë të tjera duar, duart që përpiqen të ulin poshtë Shqipërinë sa herë përpiqet të shkojë lart, janë duart e opozitës që me maska të verbërish para, me zjarr e hekur kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku nuk do të rikthehet kurrë, në humnerën nga ku e nxorëm”, vijon reagimi i kryeministrit.
Rama i cilësoi zhvillimet si “orë të vështira”, por theksoi se Shqipëria do të vijojë rrugën drejt Bashkimit Europian. Në reagimin e tij, ai paralajmëroi gjithashtu pasoja ligjore për personat që, sipas tij, janë përfshirë në ngjarjet e fundit.
“Janë orë të vështira që do t’i kalojmë bashkë sepse Shqipëria do të vijojë të ngjitet në rrugën drejt Europës. Kurrë nuk do të jetë më në duart e atyre që kanë kapur për fyti opozitën shqiptare. Kush mendon se ligji është larg, gabon. Kush ka dorë në këtë katrahurë do të paguajë sepse Shqipëria nuk do të kthehet më pas”, përfundon Rama.
