Në 18 maj studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut do të dalin sërish në protestë për të kërkuar të drejtë e tyre legjitime që provimi i jurisprudencës të bëhet në gjuhën shqipe. Vjosa Osmani nga Vitia tha se Kosova do të jetë gjithmonë në mbështetje të tyre.

“Shumë shpejt studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut organizojnë edhe një protestë për të mbrojtur gjuhën shqipe, të drejtën e tyre në arsim. Nga Vitia më lejoni t’u jap përkrahjen tonë të plotë, do të jemi me ta deri në fund, për të mbrojtur të drejtat e tyre që i kanë fituar në procese ndërkombëtare. Ne si Kosovë nuk duhet të përzihemi në çështje partiake në RMV, por asnjëherë nuk do të lejojmë që të drejtat e tyre të cënohen”, u shpreh Vjosa Osmani.

Në mbështetje të protestës së radhës të studentëve ka dalë edhe Ministri i administratës publike në Malin e Zi, Marash Dukaj.

“Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk po kërkojnë privilegje, por një të drejtë themelore: të mësojnë dhe të vlerësohen në gjuhën e tyre amtare. Kjo e drejtë garantohet nga ligjet vendore dhe standardet ndërkombëtare, sepse gjuha është themel i identitetit dhe dinjitetit kombëtar. Shoqëritë demokratike maten nga respekti që tregojnë për të drejtat e komuniteteve dhe zbatimin e barabartë të ligjit. Mbështetje e plotë për studentët që me dinjitet po kërkojnë atë që u takon. Koha është për zbatim, jo për justifikime”, shprehet ai.