Është mbajtur sot një tjetër protestë e shoqatës së shërbimit të transportit urban, ndërqytetas dhe ndërkombëtar në Vlorë.

Rreth 100 përfaqësues të këtij shërbimi janë mbledhur sërish sot, duke i bërë thirrje edhe një herë Bashkisë të rishikojë vendimin për zhvendosjen e stacionit interurban.

Vendimi, i hyrë tashmë në fuqi pas votimit në Këshillin Bashkiak, për të zhvendosur stacionin nga rruga e re në hyrje të qytetit, në aksin nga IEVP Vlorë (paraburgimi) drejt ish-shkollës së Aviacionit, është kundërshtuar nga drejtuesit e mjeteve dhe përfaqësuesit e kompanive të transportit.

Sipas tyre, destinacioni i ri nuk plotëson asnjë kusht: mungojnë ambientet e shërbimit, streha e pritjes për pasagjerët, tualetet publike dhe hapësira e trotuarit është e ngushtë për qëndrimin e pasagjerëve. Po ashtu, ata theksojnë mungesën e sinjalistikës dhe rrezikun për aksidente. Por, mbi të gjitha, kundërshtohet distanca e largët nga qyteti.

Ky është reagimi i radhës i kompanive të transportit, të cilat paralajmërojnë se, nëse nuk do të ketë reagim nga Bashkia, protesta do të përshkallëzohet.