Opozita mbajti sot protestë para Kryeministrisë, teksa e quajti ‘Foltorja 2’, duke kërkuar që të rrëzojë nga qeveria Edi Ramën dhe kabinetin e tij dhe duke njoftuar se çdo të hënë vendtakim për demokratët do të jetë pikërisht ky lokacion.

Mbrëmjen e sotme në Top Story, deputeti i PD Klevis Balliu tha se kjo foltore lindi si nevojë për të mos iu ndërprerë fjala, siç sipas tyre u ndodh në Kuvend.

Ai tha se kërkesat e opozitës për interpelancë me zv.kryeministren Belinda Balluku nuk pranohen nga mazhornaca, e po ashtu as debatet me mocion.

“Kjo platformë që ka një qëllim për mbajtjen e mesazhit dhe të mos ikë kjo çështje nga propaganda e shtetit që mbahet nga krimi. Interpelancën me Ballukun ata kurrë nuk do ta pranojnë, mocionet me debat nuk pranohen, në Komisione nuk vijnë… arsyeja e vetme pse shqiptarët kanë më pak para në xhep, është se kanë këta më tepër para në buxhet”, tha Balliu.

Analisti Arjon Sulo tha se opozita nuk e ka shfrytëzuar aq sa duhet ‘kapitalin’ politik dhe hetimin e nisur nga SPAK ndaj Belinda Ballukut, ndërsa sa i përket protestës tha se nuk e kuptoi ku e kishte fokusin, sepse u fol për shumë çështje, që nisi me vjedhjen e votave dhe përfundoi te ligji për barazinë gjinore. Sipas Sulos, protesta duhej të ishte fokusuar te një mesazh, duke parë prioritetet.

“Hetimi i Belinda Ballukut është i nivelit të lartë, zyrtarja më e lartë e hetuar në historinë e SPAK dhe opozita për fat të keq nuk e ka shfrytëzuar aq sa duhet këtë kapital politik. Nuk e kuptova ku e kishte kauzën kjo protestë. Mund t’i kishte të gjitha, por po t’i ketë të gjitha nuk ka asnjë. Ka prioritete… dyshohet se janë vjedhur mijëra euro dhe opozita diskuton për barazinë gjinore. Kjo është absurde, opozita duhet ta shfrytëzonte shumë më fort këtë”, tha Sulo.

“Ka të drejtë zoti Sulo që duhej të ishte fokusi te hetimet, por para katër ditësh kishim një atentat… pra këtu ndodhin afera të pafundme që e bëjnë të vështirë që t’i qëndrojmë një mesazhi. Këtu shkojmë nga krimi në krim”, iu përgjigj Balliu.