Dy protestues janë arrestuar dhe një efektiv policie ka mbetur i lënduar lehtë pas tensioneve të krijuara gjatë një proteste në Hagë, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Protesta u zhvillua në Malieveld dhe ishte e autorizuar nga autoritetet lokale. Pas përfundimit të tubimit, një pjesë e protestuesve tentoi të marshonte drejt Raamwegut, ku ndodhen Dhomat e Specializuara të Kosovës, pavarësisht se lëvizja në atë drejtim nuk ishte lejuar.
Për të bllokuar kalimin, policia holandeze vendosi një kordon të Njësisë Mobile. Situata u tensionua kur disa protestues u përplasën me efektivët, duke bërë që policia të ndërhynte për shpërndarjen e turmës. Për një kohë të shkurtër u përdorën topi me ujë dhe spraji irritues.
Sipas policisë holandeze, gjatë përplasjes u përdor dhunë ndaj efektivëve dhe pajisjeve policore. Një polic pësoi lëndime të lehta, ndërsa dy persona u arrestuan për veprime të paligjshme dhe dëmtim të rendit.
Përplasjet ndodhën në të njëjtën ditë kur Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet. Në total, dënimet e dhëna ndaj katër ish-krerëve arrijnë në 81 vite burgim.
