Djali i ish-Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Endrit Thaçi është një prej pjesëmarrësve në protestën në mbështetje të UÇK-së në Tiranë ditën e sotme.

Ai është shfaqur duke veshur simbole të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa shoqërohet edhe nga deputeti socialist Taulant Balla. Kujtojmë se Hashim Thaçi është një prej 4 ish-drejtuesve të UÇK-së që prej vitesh tashmë mbahen në Hagë, në kuadër të një procesi të nisur në vitin 2020 prej tyre.

Në këtë tubim do të mbajë fjalë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Po ashtu, protestës pritet t’i bashkohet edhe kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama, por edhe Lutfi Haziri, një nga drejtuesit kryesorë të LDK-së. Për mbarëvajtjen e protestës është bllokuar për 2 orë qarkullimi tek Bulevardi i Ri, nga ora 17:00 deri rreth orës 19:00, pasi do të parkohen mjetet e protestuesve.

Veteranët dhe protestuesit kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, të cilët mbahen në Hagë që prej vitit 2020 të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.