Dy qytetarë janë shoqëruar nga Policia gjatë protestës që po zhvillohet jashtë ambienteve të Kuvendit, ndërsa brenda godinës vijon seanca plenare.

Sipas të dhënave paraprake, dy personat janë marrë nga efektivët pasi ndodheshin jashtë perimetrit të sigurisë të vendosur nga Policia për mbarëvajtjen e protestës dhe garantimin e rendit publik.

Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar nga autoritetet për arsyen konkrete të shoqërimit të dy qytetarëve apo rrethanat e ndërhyrjes policore.

Protesta vijon jashtë Kuvendit, ndërsa forcat e Policisë janë të angazhuara për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në zonë.