Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale, duke mbrojtur “Paketën e Maleve” dhe duke theksuar se ajo synon zhvillimin ekonomik të zonave malore në Shqipëri.
Në postimin e tij në Facebook, Rama ngriti pyetjen nëse pronarët e tokave në zonat malore, përfshirë edhe ata me prona të trashëguara, duhet të kenë mundësinë të zhvillojnë agroturizëm, ferma apo njësi agropërpunimi në tokat e tyre.
Sipas kryeministrit, mungesa e certifikatave të pronësisë për shkak të mospranimit të ligjit 7501 ka penguar prej vitesh aksesin në leje ndërtimi, subvencione shtetërore, fonde të BE-së dhe kredi bankare.
Rama theksoi se “Paketa e Maleve” synon të krijojë lehtësi ligjore për investime, veçanërisht për emigrantët shqiptarë që duan të investojnë në zonat rurale dhe malore.
Ai iu përgjigj edhe kritikave për ndikimin në zonat e mbrojtura, duke deklaruar se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e natyrës mund të ecin paralelisht, duke sjellë si shembull modele europiane si Austria.
Në përfundim, Rama nënvizoi se Shqipëria duhet të ecë drejt një modeli ku natyra dhe ekonomia bashkëjetojnë në funksion të turizmit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
