Një moment i pazakontë është regjistruar gjatë protestës kombëtare që po zhvillohet në Tiranë, ku një efektiv policie është filmuar teksa konsultohet me eprorin nëse duhet të përdorë sprajin ndaj një vajze protestuese. Në pamjet e publikuara nga një aktiviste, efektivi shihet fillimisht duke fotografuar të renë, e cila më pas nxjerr telefonin dhe nis ta filmojë. Në këtë moment, polici dëgjohet duke pyetur eprorin.
“A t’i hedh spraj?” thotë polici.
“Lëre mor burrë”, i thotë eprori.
Pas këtij komunikimi, efektivi heq dorë nga përdorimi i sprajit, por i kërkon protestueses të largohet nga vendi ku ndodhej. Protesta ka nisur prej orës 14:00, me pjesëmarrjen e studentëve dhe qytetarëve që kanë marshuar në disa akse të kryeqytetit.
Tubimi është shoqëruar me bllokimin e qarkullimit në zonën e Zogut të Zi, ndërsa deri më tani nuk raportohen përplasje të mëdha mes protestuesve dhe forcave të policisë. Qytetarët vijojnë të shprehin pakënaqësitë ndaj qeverisë dhe klasës politike.
