Teksa në “Rrugën e Kombit” gjendja është stabilizuar dhe qytetarët-protestues janë larguar, duke lënë pas vetëm grupet hetimore të policisë, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, duket se është thirrur për një raportim urgjent në zyrën e kryeministrit Edi Rama.


Top Channel raporton se ministri Xhafaj është parë të hyjë në godinën e Kryeministrisë. Situata e krijuar ditën e sotme me përshkallëzimin e protestës së qytetarëve të Kukësit në tunelin e Kalimashit, dhe pasojat e saj do të jenë biseda e Ramës me vartësin e tij, teksa të dy i quajtën publikisht dhunë barbare dhe se përgjegjësit do të vihen para ligjit.


Ndërkohë lidhur me deklaratën e mëparshme të ministrit Xhafaj, ku ai e cilësoi dhunën të patolerueshme, ka reaguar deputeti demokrat i Kukësit, Flamur Noka.


Noka thotë se deklarata e Xhafaj ishte vetëm një provokim i ulët dhe malinj ndaj qytetarëve të ndershëm.


“Provokim i ulët dhe malinj ndaj qytetarëve të ndershëm. Fatmir Xhafaj nuk tremb dot njeri se njerëzit e ndershëm nuk tremben nga korrupsioni, nga të inkriminuarit në pushtet. Do të jenë policët të parët që do braktisin Xhafën, Ramën dhe hajdutët e tjerë të qeverisë. Detyra e policisë është të mbroj qytetarët”, shprehet Noka.


31 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)