Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, gjatë një vizite në Korçë, ku u takua edhe me kryebashkiakun Sotiraq Filo, ka folur edhe mbi protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë, kundër investimit në Zvërnec.
Huber tha institucionet demokratike dhe pjesëmarrja e njerëzve në protesta, janë një element i rëndësishëm i çdo sistemi. Ajo tha gjithashtu se Zvicra ka dhënë një mbështetje afatgjatë për shoqërinë civile, të cilët merren mes të tjerash, edhe me organizimin e protestave. Megjithatë, lidhur me ‘objektin’ e protestës dhe ecurinë e saj, Huber nuk dha një përgjigje konkrete, pasi sipas saj, ‘pyetja ishte shumë politike dhe e vështirë për t’u përgjigjur një ambasadë e huaj’.
“Pyetja jonë lidhet me protestën që po zhvillohet në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë. Çfarë mendoni për protestën, si e shihni atë në të ardhmen dhe a keni diçka për t’i thënë qeverisë shqiptare?”, e pyetën gazetarët ambasadoren.
“Kjo është një pyetje shumë politike dhe është e vështirë për t’u përgjigjur si një ambasadë e huaj. Natyrisht, ne përmes programit tonë të zhvillimit, gjithashtu forcojmë demokracinë, me mbështetjen tonë ndaj parlamentit kombëtar, ndaj parlamenteve lokale. Ne kemi një mbështetje afatgjatë për shoqërinë civile, kështu që instrumentet demokratike dhe pjesëmarrja e njerëzve në protesta janë një element i rëndësishëm i çdo sistemi, ashtu si edhe në sistemin tonë në Zvicër”, u përgjigj ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber.
