Ministria e Arsimit ka publikuar listën e psikologëve të cilët do të jenë në dispozicion të nxënësve, prindërve dhe familjeve të prekura nga situata e ditëve të fundit lidhur me protestat e dhunshme.

Në listën e përpiluar në bashkëpunim me Urdhrin e Psikologut, përfshihen mbi 20 profesionistë të shëndetit mendor.

“Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Urdhrin e Psikologut përmes asistencës së më shumë se 20 psikologëve të gatshëm për mbështetjen psikologjike të qytetarëve, krijojnë mundësinë për t’i ofruar shërbimin e nevojshëm çdo qytetari, të riu, të mituri, nxënës shkollash etj. që ngjarjet e ditëve të fundit i kanë ekspozuar ndaj shprehjeve dhe akteve të ndryshme të dhunës. Për këtë arsye, ekipi i psikologëve është në dispozicion ndaj çdo nevoje e rasti që kërkon vëmendje, mbështetje e trajtim”, thuhet në njoftimin ku është bashkëngjitur edhe linku i posaçëm me emrat dhe kontaktet e psikologëve.