Një shkresë e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u kërkon komisariateve të Tiranës dhe Krujës të zbatojnë me përpikëri procedurat ligjore gjatë protestave të studentëve, veçanërisht në rastet që përfshijnë të mitur. Dokumenti, i firmosur më 22 tetor nga zëvendësdrejtori për Sigurinë Publike, kryekomisar Edmond Meshini, përcakton disa detyra për strukturat policore. Kjo duke vënë theksin te respektimi i të drejtave të personave të shoqëruar dhe garantimi i transparencës gjatë veprimeve të policisë.
Një nga udhëzimet kryesore është që telefonat celularë të mos kontrollohen pa urdhër gjykate dhe që punonjësit e policisë të mos kërkojnë fjalëkalime pa bazë ligjore. Në shkresë kërkohet gjithashtu që efektivët të mbajnë të dukshëm numrin e identifikimit, ndërsa automjetet e përdorura gjatë operacioneve të jenë të identifikueshme. Një tjetër detyrim lidhet me ruajtjen e pamjeve filmike të datës 19 tetor 2026, si dhe sigurimin e kamerave në ambientet e shoqërimit dhe intervistimit të personave.
Për rastet që përfshijnë të mitur, policia duhet të garantojë praninë e prindit ose kujdestarit dhe të psikologut gjatë procedurave, si dhe t’u bëjë të ditura të drejtat e tyre përpara marrjes në pyetje. Gjithashtu, kërkohet mbajtja e regjistrave të veçantë për këtë kategori.
Udhëzimi parashikon edhe njohjen e efektivëve me aktet ligjore që rregullojnë përdorimin proporcional të forcës dhe gazit lotsjellës, si dhe plotësimin e saktë të regjistrave të personave të shoqëruar. Shkresa u është dërguar komisariateve nr. 1 deri në 7 të Tiranës, Komisariatit të Policisë Tiranë dhe atij të Krujës, me qëllim zbatimin e detyrimeve ligjore gjatë menaxhimit të protestave.
