Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë që ndodhen në Shqipëri, në lidhje me protestat që po zhvillohen prej disa ditësh në kryeqytet.
Në deklaratën e saj, ambasada thekson se edhe pse tubimet shpesh nisin në mënyrë paqësore, ato mund të përshkallëzohen dhe të përhapen në zona të ndryshme të qytetit, përfshirë edhe pranë institucioneve shtetërore. Gjithashtu, parashikohet prani e shtuar e policisë, bllokime rrugësh, devijime të trafikut dhe kufizime të lëvizjes gjatë zhvillimit të protestave.
Për këtë arsye, përfaqësia diplomatike u bën thirrje qytetarëve amerikanë që të shmangin demonstratat, të jenë të kujdesshëm dhe të kenë gjithmonë një plan emergjence në rast përshkallëzimi të situatës.
Në udhëzimet e saj, ambasada rekomandon gjithashtu monitorimin e mediave lokale, shmangien e lëvizjeve të panevojshme në zonat e protestave dhe ruajtjen e një profili të ulët gjatë qëndrimit në publik.
Njoftimi vjen në një kohë kur protestat në Tiranë vijojnë prej disa ditësh dhe autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë përreth institucioneve kryesore shtetërore.
