Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për 51 personat e arrestuar pas protestave dhe përplasjeve të ditëve të fundit në kryeqytet.

Sipas vendimit të shpallur këtë pasdite, 11 persona janë lënë në masën “Arrest në burg”, 5 në “Arrest në shtëpi”, ndërsa 25 të tjerë do të jenë nën masën “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Për 10 persona është caktuar masa “Ndalimi dhe detyrimi i qëndrimit në një vend të caktuar”. Ata nuk lejohen të afrohen në një distancë prej 500 metrash nga institucionet publike, si dhe të qëndrojnë në sheshe apo ambiente ku zhvillohen tubime dhe manifestime pa autorizimin e Gjykatës.

Ndërkohë, Gjykata ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi për 40 persona, nëse nuk mbahen të ndaluar apo të izoluar për një çështje tjetër penale.

Akuzat ndaj personave të lënë në burg

Pesë prej 11 personave që do të qëndrojnë në burg, me inicialet Z.M., E.B., J.P., L.B. dhe S.F., dyshohen për “Shkatërrim të pronës” dhe “Kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ndaj R.D. rëndojnë katër akuza: “Shkatërrim i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Vjedhje” dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”.

N.T. dhe B.M. dyshohen për “Pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ndërsa G.S., A.A. dhe E.Sh. dyshohen për “Shkatërrim të pronës”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.

Masat për pesë personat në arrest shtëpie

Pesë personat e lënë në “Arrest në shtëpi” janë K.B., E.Z., A.Çe., A.Ça. dhe K.B.

Dy prej tyre dyshohen për shkatërrim të pronës dhe kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik. Tre të tjerët akuzohen për shkatërrim të pronës, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme dhe goditje për shkak të detyrës.

Masat e sigurisë lidhen me hetimet për incidentet e regjistruara gjatë protestave të fundit në Tiranë.