Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar edhe sot rubrikën ‘Sy m’sy”, ku u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve në rrjetet sociale.

Kreu i qeverisë iu përgjigj pyetjeve për një projekt të ndërtimit të ujësjellësit që nisi në zonën e Tragjasit. Ditën e djeshme banorët e fshatit u përplasën me policinë, pasi ishin ngritur në protestë për të kundërshtuar këtë projekt. Sipas tyre, ndërtimi i këtij ujësjellësi u merr ujin e fshatit që ata e përdorin.

Rama sot tha se nga ky projekt, nuk ka asnjë kërcënim për banorët, pasi është studim i mirëfilltë hidrologjik. Sipas Ramës, investimi i shërben vetë zonës.

“Projekti i Tragjasit është studim i mirëfilltë hidrologjik. Nuk ka asnjë kërcënim për banorët. I kam kërkuar drejtorit të bëjë një shpjegim shterues. Investimi i shërben vetë zonës. Duke dëgjuar ekspertët dhe duke bazuar të vullneti i mirë të transformimi i gjithë qarkut të Vlorë do të realizohet projekti dhe të gjithë do të jenë të lehtësuar nga çdo lloj frike.

Ujësjellës për të pirë ujë, si mundet që një ujësjellës për të pirë ujë të thajë dynjanë. Projektet nuk mund të bllokohen, investimet nuk mund të bllokohen. Policia nuk është shfaqur aty se papritur e pakujtuar u kujtua një fadromë të vijë, por se ka muaj të tërë që bëhet përpjekje për t’u sqaruar. Si do bëhet kjo, do merret peng me dhunë, një investim që në radhë të parë i shërben vetë zonës.”– tha Rama.