Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin e 10 prej 38 protestuesve të arrestuar gjatë protestave të dhunshme në kryeqytet.
Për 8 prej tyre, gjykata e ka cilësuar arrestimin të paligjshëm, ndërsa për dy të tjerët ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Ndërkohë, studentët dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH) kanë paralajmëruar një tjetër protestë ditën e shtunë, përpara Kryeministrisë. Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në shesh në orën 11:00.
Gjatë ditëve të fundit, protestat janë shoqëruar me incidente më të lokalizuara dhe me intensitet më të ulët krahasuar me ditët e para të tubimeve, kur situata u karakterizua nga përplasje të forta dhe akte dhune.
