Reagimi


Shfryhen akuzat e Jankullovskës: Nuk ka prova për të arrestuarit


Qindra qytetarë zhvilluan dje një marshim-protestë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, për të protestuar kundër qëndrimit të ministres së Brendshme maqedonase, Jankullovska, dhe ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiç, ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. “Ne jemi këtu për të mbrojtur të vërtetën dhe drejtësinë. Shqiptarët nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë asnjëherë terroristë. Të mbrojmë të vërtetën dhe të drejtën e vëllezërve dhe motrave tona në Shkup e po ashtu edhe në Preshevë, të cilët po cenohen ditë për ditë, të cilët janë dhunuar”, thotë një prej protestuesve. Lëvizja “Shqipëria e Re”, në mbështetje të Kushtetutës së Shqipërisë, bëri të ditur se ka bërë kallëzim penal me akuzën e shpërndarjeve të materialeve kompjuterike ‘pro’ gjenocidit ose krimeve kundër njerëzimit. Protestuesit janë ndalur pranë ambasadës maqedonase dhe asaj serbe, duke dorëzuar kallëzimin penal për përfaqësuesit e shteteve respektive.


Shkup, shfryhen akuzat e Jankullovskës


Në mungesë provash për veprën penale të terrorizmit, nga paraburgimi janë liruar 13 nga 20 personat e arrestuar më 1 maj nga policia maqedonase. Në paraburgim mbeten vetëm 3 të akuzuarit e drejtpërdrejtë për vrasjen e pesëfishtë, si dhe 4 persona të tjerë që akuzohen për posedim armësh pa leje. Aksioni policor ku u arrestuan 20 persona të cilët u quajtën “radikalë islamikë”, sipas PDSH-së i ngjan më shumë një “konstruksioni politik”.


“Forma e zgjedhur për komunikim me publikun e MPB-së është e papranueshme, paragjykuese dhe jo e besueshme. Është e palejueshme që me këtë rast ordiner të bëhet politikë arkaike, politikë që ngjall konflikte fetare dhe etnike. Me keqardhje konstatojmë se qëndrimi i BDI-së pas arrestimit të dhjetëra shqiptarëve ishte më i keq dhe më i shëmtuar se ai i Ministrisë së Punëve të Brendshme”, deklaroi Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së. Nga Rilindja Demokratike Kombëtare thanë se tentativat që dukuritë kriminale të zhvendosen në rrafshin fetar, janë të rrezikshme.