Protestat kundër projektit “TID” janë rikthyer sërish para Bashkisë së Durrësit. Përfaqësues të 74 familjeve që preken nga shpronësimet u mblodhën në protestë në të njëjtën kohë me zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Bashkiak. Me pankarta në duar, banorët e cilësuan procesin të padrejtë e të njëanshëm dhe kërkuan dorëheqjen e kryetares Emiriano Sako. Protesta u bë pjesë e debateve brenda sallës së Këshillit Bashkiak. Këshilltarët e opozitës kërkuan të dëgjohet zëri i qytetarëve dhe propozuan që fondet e disponueshme të përdoren për të përmbushur kërkesat e tyre legjitime.

“Kemi kërkesë nga banorët e TID qe i kemi aty në protestë poshtë. Në qoftë se këto 32 milionë euro janë si mundësi… pse të mos e japim një pjesë për të përmbushur kërkesat e tyre dhe çojmë përpara projektin… natyrisht duke bërë ato ndryshime që ata banorë duan dhe ato sugjerimet që kemi shprehur ne dhe specialistë të fushës”, u shpreh Ardian Muka, Këshilltar bashkiak PD.

Nderkaq, kryetarja e Bashkisë, Emiriana Sako, mbrojti rëndësinë e projektit, por pranoi zyrtarisht se vlerat aktuale të shpronësimit janë të ulëta për tregun e Durrësit ndaj janë ndërmarrë hapa konkretë për rivlerësim të pronave.

“I kemi drejtuar një shkresë Agjencisë Kombëtare të Shpronësimit, ku i kërkojmë që të rishikohen vlerat e shpronësimeve se realisht me ato vlera, ata nuk e kanë të mundur të blejnë një banesë tjetër. Besojmë se kjo kërkesë e jona do të merret në konsideratë”, shprehet kryetarja Sako.

Ndërsa brenda bashkisë u premtua zgjidhje, jashtë saj banorët mbeten skeptikë dhe paralajmërojnë vazhdimin e protestave nëse premtimet nuk kthehen në veprime konkrete./ Top Channel