Kryetari i Partia Mundësia, Agron Shehaj, ka bërë thirrje për organizimin e një proteste më 5 mars, në orën 18:00, përpara Kuvendi i Shqipërisë.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj ka shpërndarë pamje nga Rrjolli, ku sipas tij protestuesit janë përplasur sërish me Policinë. Ai pretendon se qytetarët janë shoqëruar me forcë në komisariat dhe janë ushtruar akte dhune ndaj tyre.

“Po i rrahin me grushte, me të fortë. Po rrahin gra, pleq, fëmijë. Pse? Sepse nuk pranojnë që një oligark t’u vjedhë pronën, nuk dorëzohen”, shprehet Shehaj në deklaratën e tij.

Kreu i Partisë Mundësia u ka bërë thirrje qytetarëve që, sipas tij, janë prekur nga çështje të pronësisë, t’i bashkohen protestës së paralajmëruar. Ai përmend edhe banorët e Rrjollit dhe ata të Durrësit, të cilët prej javësh kundërshtojnë vendime që lidhen me pronat e tyre.

“Ju ftoj të gjithëve të enjten në datën 5 mars në orën 18:00 të protestojmë të gjithë bashkë para Kuvendit. Me banorët e protestuesit e Rrjollit, me ata të Durrësit dhe të gjithë të tjerët të na bashkohen të gjithë ata të cilëve u është marrë prona, po u merret prona. Duhet të ngrejmë zërin, nuk duhet të dorëzohemi. Aq më tepër tani që po përdorin dhunën, po përdorin të fortët dhe Policia bën sehir”, deklaron ai.

Shehaj e mbyll mesazhin e tij me thirrjen: “Ju presim të enjten në datën 5 mars përpara Kuvendit në orën 18:00. Ju presim të protestojmë bashkë.”