Analisti Milaim Zeka ishte i ftuar sot në “Shqipëria Live”, ku foli në lidhje me protestën kombëtare që po zhvillohet prej 18 ditësh në vendin tonë. Sipas Zekës, protesta organizohet nga njerëz të afërt të Albin Kurtit, e këta njerëz sipas tij janë Adriatik Lapaj, Arlind Qori dhe Agron Shehaj. Zeka shtoi se qëllimi kryesor i protestës nuk është Zvërneci, por rrëzimi i kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një klime kundër presidentit amerikan Donald Trump në vendin tonë.
“Këta na fusin në një thes ne gazetarëve dhe thonë që jemi shërbëtorë të Edi Ramës. Shoh çmenduri dhe të mira në këtë protestë. Protesta drejtohet nga njerëz të afërt të Albin Kurtit. Për këtë ka fakte, po të shikosh Adriatik Lapajn, Qorin, Shehajn, janë njerëz që vijnë nga oborri i Albin Kurtit, i cili ka përçarë elementin Shqiptar në Maqedoni, Kosovë dhe tani ka arritur të bëjë diçka në Kosovë. Por unë e mbështes protestën sepse shqiptarët kanë 1000 arsye për të protestuar. Por nuk kanë të drejtë në mënyrë absolute të thonë jemi kundër investimeve në Zvërnec. Edhe nëse bosat e krimit kanë blerë tokat e Zvërnecit, është Gjykata që vendos. Ne nuk mund ta pengojmë zhvillimin e vendit. Por nuk është fare qëllimi i këtyre protestave Zvërneci. Qëllimi është rrëzimi i Ramës dhe krijimi i një klime anti-Trump”- tha ai.
