“Shtetrrethimi”
Në Nikël ndalohen 40 banorë, në Kombinat procedohen 12 persona
Policia e Shtetit ka proceduar penalisht 52 perona, pasi akuzohen se kanë protestuar për mungesën e energjisë elektrike. Arrestime masive banorësh kanë ndodhur në Nikël të Fushë-Krujës dhe në Kombinat, pasi qindra persona dolën në rrugë, në një lëvizje qytetare, pa ndikim politik.
Nikël
Dyzet persona nën procedim penal për bllokimin e rrugës Tiranë-Fushë-Krujë. Organizimi i protestës ndaj kompanisë CEZ Shpërndarje paraditen e së mërkurës është konsideruar sërish i paligjshëm nga Policia e Shtetit, e cila ka vënë nën akuzë për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, plot 40 persona të moshës 20-67 vjeç nga fshatrat Nikël, Zezë, Vrion, Tapizë, Fushë-Prezë, Rinas, Larushk dhe Mukaj. Procedimi penal ndaj tyre filloi për arsye se rreth orës 09.00 të ditës së mërkurë, së bashku edhe me persona të tjerë, janë grumbulluar në aksin rrugor Tiranë – Fushë-Krujë dhe pikërisht në Nikël, për të protestuar mbi mungesën e energjisë elektrike nga ana e CEZ Shpërndarja. Protestuesit ishin banorë të shtatë fshatrave të rrethit të Krujës dhe një fshati të Komunës së Prezës së rrethit të Tiranës. Si rezultat i këtij organizimi, policia deklaron se është penguar për rreth 3 orë e 30 minuta lëvizja e automjeteve në këtë segment. Me ardhjen e energjisë elektrike, rreth orës 12.30, protestuesit u shpërndanë qetësisht, por policia nisi hetimet dhe vazhdon puna për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e personave të tjerë pjesëmarrës në këtë protestë. Protestat e ditëve të fundit të banorëve të Niklës dhe fshatrave përreth erdhën pas protestave të nisura një muaj më parë në zonën e Manzës ku dhjetëra banorë të fshatrave të Sukthit protestuan ndaj ndërprerjes masive të energjisë elektrike, duke nisur që nga rrethimi i nënstacionit elektrik të Manzës ku u ndeshën me heshtjen e përfaqësuesve të CEZ, të vendosur për të nxitur arkëtimet nga ndërprerja e energjisë në 28 kabina elektrike, përplasja fizike në fshatin Perlat me brigadën e CEZ që kishte shkuar në zonë për të riparuar një defekt deri te bllokimi i njërit krah të superstradës Tiranë-Durrës. Vjeshta ka nisur me protesta të qindra banorëve të Qarkut të Durrësit, të cilët përpos faktit që rebelohen ndaj ndëshkimeve kolektive që prekin dhe konsumatorët e rregullt, duke cenuar ndjeshëm cilësinë e jetës së të gjitha familjeve, përfshirë dhe edukimin e fëmijëve, protestojnë dhe ndaj faturave abuzive, përtej sasisë reale të energjisë së konsumuar.
Kombinat
Policia e Tiranës ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë, për 12 persona me banim në Tiranë, sepse një natë më parë ata kanë protestuar në Kombinat, për mungesën e energjisë elektrike. Protesta është zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës, në qendër të zonës së Kombinatit, ku kanë marrë pjesë me qindra qytetarë dhe kanë tubuar rrugëve, me parulla nëpër duar. Policia pretendon se banorët e zonës, nuk kanë marrë leje, pranë organeve kompetente për zhvillimin e protestës, e për pasojë kanë provokuar bllokim të rrugës “Konferenca e Pezës”, duke paralizuar lëvizjen totale të automjeteve dhe transportit publik. Banorët e ngritur në këtë protestë masive, ankohen se prej muajsh, jetojnë në errësirë të plotë, me orë të tëra, duke akuzuar CEZ-in për papërgjegjshmëri.
Si pasojë e kësaj, ata kanë dalë në rrugët kryesore, ndonëse janë penguar nga uniformat blu e më pas kanë nisur edhe procedimet penale, në drejtim të 12 qytetarëve. Protesta është mbështetur edhe nga deputeti i zonës, së Partisë Socialiste, Saimir Tahiri. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprës penale të “Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
CEZ për Kombinatin
Problemet me furnizimin me energji në këtë lagje shkaktohen nga lidhjet e paligjshme në rrjetin e shpërndarjes