Reshjet e shiut nuk i kanë larguar protestuesit e mbledhur përpara Kryeministrisë kundër projektit turistik në Zvërnec, të cilët kanë vijuar tubimin dhe thirrjet e tyre kundër qeverisë.

Edhe pse moti u përkeqësua gjatë protestës, pjesëmarrësit qëndruan në shesh, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kundërshtimi i tyre ndaj projektit. Mes pankartave dhe brohoritjeve, nuk munguan as thirrjet për revolucion dhe kërkesat për ndalimin e ndërtimeve në zonën e mbrojtur.

Kjo është protesta e katërt e organizuar kundër projektit në Zvërnec, ndërsa qytetarët dhe aktivistët kërkojnë më shumë transparencë mbi procedurat e ndjekura dhe garanci për mbrojtjen e mjedisit.

Tubimi po vijon përpara Kryeministrisë, pavarësisht kushteve atmosferike, me protestuesit që shprehen të vendosur për të vazhduar reagimin e tyre ndaj investimit të planifikuar.