Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një konferencë për mediat, ku foli për vizitën në Austri dhe për raportin e Partisë Popullore Evropiane mbi Shqipërinë. Kryetari i opozitës foli edhe në lidhje me tensionet e djeshme para Kuvendit mes protestuesve dhe policisë.

“Dy ditët e fundit, së bashku me zonjat Albana Vokshi, Jorida Tabaku dhe Enrik Çenon, Genti Strazimirin, morëm pjesë në punimet e asamblesë politike të Partisë Popullore Evropiane. Ajo çka unë mund t’u raportoj sot përveç një seri takimesh që zhvilluam me përfaqësues të partive simotra, takime e biseda të shkurtra me presidentin e PPE, me kancelarin e Austrisë dhe me përfaqësues të vendeve të tjera mike, pas Ukrainës, Shqipëria ishte në epiqendër të punimeve të asamblesë politike të PPE.

Për Shqipërinë, asambleja miratoi raportin e misionit faktmbledhës që dërgoi, të përbërë nga 27 anëtarë, në datën 26-27 shkurt të vitit 2026. Dhe po për Shqipërinë, asambleja miratoi një rezolutë të veçantë kushtuar Shqipërisë dhe gjendjes në Shqipëri. Unë shfrytëzoj rastin të shpreh mirënjohjen më të pakufishme për drejtuesit e PPE, presidentin Veber, sekretaren e përgjithshme Monstserrat, të gjithë ata që erdhën në misionin faktmbledhës për raportin e jashtëzakonshëm që ata publikuan dhe miratuan dje në asamblenë politike të PPE.

Raporti është një pasqyrë e veçantë, besnike si asnjëherë më parë në historinë e vendit e Shqipërisë, regjimit të Edi Ramës, regjimit që ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale, regjimit që ka përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë, që kontrollon mediat dhe drejtësinë, regjimit të bazuar në kapjen e shtetit, drogën, krimin dhe korrupsionin. Kurrë ndonjëherë në ndonjë raport ndërkombëtar, të vërtetat e hidhura të Shqipërisë nuk kanë dalë aq qartë sa në këtë raport. Raporti ka një bosht, dhe mund t’u them se boshti i tij është kapja e shtetit. Shqipëria është një shtet i kapur nga krimi, droga, organizatat kriminale. Shqipëria sipas raportit, i cili citon V-Dem, thotë se ka deficite të thella, të mëdha në parimet themelore të procesit zgjedhor.

Shqipëria, sipas raportit, ka ndërtuar një rrjet patronazhistësh, sistemin e blerjes së votës, ka angazhuar grupet kriminale për të kontrolluar vullnetin e qytetarëve. Ka zhdukur linjën ndarëse midis institucioneve të shtetit dhe strukturave partiake. Shqipëria pra është vendi në të cilin narkoeurot janë shndërruar në një faktor që po shkatërrojnë ekonominë shqiptare. Vendi në të cilin gara nuk ekziston ose është krejt fiktive. Makineri gjigante e larjes së parave të krimit dhe të drogës. Vendi në të cilin zyrtarisht mbrohet korrupsioni. Ndalet tek koncesionet dhe PPP-të. Tek prokurimet publike me klientelë. Edhe këtu, nuk ka garë, nuk ka linjë ndarëse. Gjithçka e përqendruar në duart e Edi Ramës. Sjelljen e policisë e kam dënuar që dje nga Vjena dhe e kam quajtur egërsi shtazore. Kam parë protestues, të cilët nuk po kryenin asnjë akt dhune, përkundrazi, po mbanin një qëllim edhe dashamirës ndaj policëve, duke i ofruar ujë në atë vapë të tmerrshme. Vërsulja me tërbim ndaj tyre, ajo skena me djalin me bluzë të zezë të kujtonte skenën e Zvërnecit. Ai nuk kishte bërë asgjë, u lirua më pas. E kam dënuar dje dhe vazhdoj ta dënoj me forcën më të madhe”, u shpreh Berisha.