Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas sulmit të protestuesve ndaj rezidencës së artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha, në zonën e ish-Bllokut. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se një grushti të verbërish të paguar duan të njollosin dhe frikësojnë qytetin.

Sipas tij, gjykatësit që i lirojnë nga burgu janë bashkëpërgjegjës për këto veprime. Ai tha se në seline e PD-së nuk flitet për ide e programe, por bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale. Lideri i qeverisë, e cilësoj si turp nxjerrejn e tyre jashtë qelisë.

Reagimi i Edi Rames

Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme.

Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush!

Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale! Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj!