Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë kanë vijuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku qytetarët janë përpjekur t’i afrohen godinës së Kryeministrisë.
Për të zmbrapsur turmën, efektivët kanë përdorur autobotët me ujë dhe gaz lotsjellës. Ndërkohë, forca të shumta policie kanë rrethuar perimetrin e Kryeministrisë, duke marrë masa për të penguar afrimin e protestuesve pranë institucionit.
Marshimi kishte nisur nga sheshi “Skënderbej”, ku protestuesit ishin mbledhur fillimisht për të vijuar më pas drejt Kryeministrisë.
Situata u përshkallëzua pas hedhjes së mjeteve piroteknike në drejtim të efektivëve, çka u pasua nga ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.
