Kamerat e sigurisë dhe dëshmitë e personave të shoqeruar nga Policia e Tiranës mësohet se kanë luajtur rol kyç në zbardhjen e vrasjes së Briken Sanajt në Kodrën e Diellit.
Top News mëson nga burimet në grupin hetimor se kqyrja e kamerave të sigurisë pranë vendit të ngjarjes, marrja në pyetje e personave të ndryshëm të afërm apo me lidhje shoqerore me autorin Vladimir alias Valmir Kola kanë mjaftuar për të dalë në përfundimin se autor kryesor i dyshuar i ngjarjes së 30 tetorit është 39-vjeçari lindur në Pukë por banues në Shëngjin.
Nga kamerat e sigurisë, autori i dyshuar është parë disa herë pranë rezidencës Kodra e Diellit disa ditë para ngjarjes dhe në një nga këto herë ai dyshohet se ka shkuar për të fshehur armën e krimit tip Kallashnikov. Herën e fundit që del në kamerat e sigurisë është natën e krimit, kur rreth orës 20:00 ai shihet teksa futet pranë banesës ku jetonte viktima Briken Sanaj për të pritur i fshehur deri në momentin e ekzekutimit.
Sa I takon dy shtetasve kosovarë të shpallur në kërkim, Kened Antoni dhe Gjelosh Krasniqi, hetuesit nga Tirana kanë udhëtuar në Kososvë ku pas marrjes në pyetje të personave të ndryshëm, është dalë në përfundimin se Antoni i ka shitur mjetin tip Benz Krasniqit në datë 24 tetor dhe po në këtë datë të dy këta shtetas kanë hyrë në Shqipëri dhe janë takuar me autorin në një lokal në zonën e Lezhës, ku është bërë dhe shitja.
Në fakt autori i ngjarjes ka përdorur 4 makina gjatë kohës që ka planifikuar dhe ka kryer krimin. Tre nga këto automjete janë një BMV x5 me të cilin ka shkuar në zonën e Kodrës së Diellit disa herë për të studiuar terrenin, një mjet tip Audi me targa spanjolle me të cilin ka shkuar në lokalin ku u takua me shtetasit kosovar, mjeti tip Benz me të cilin u largua nga vendngjarja dhe u gjet I djegur në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, si edhe një mjet tjetër tip Benz i përdorur nga dy personat që e kanë marrë nga vendi ku u gjet e djegur makina e krimit.
Teksa autori i dyshuar i ngjarjes u shpall në kërkim ndërkombëtar zyrtarisht të mërkurën në darkë, policia shqiptare ka kërkuar kryesisht ndihmën e autoriteteve belge ku janë dyshimet kryesore se është arratisur Vladimir Kola 3 ditë pasi kreu krimin.
Rol në vrasjen e Kodrës së Diellit kanë pasur dhe dy persona që dyshohet se kanë ndjekur viktimën nga Lezha në Tiranë dhe më pas kanë marrë autorin në vendin ku u gjet e djegur makina e tij. Top News siguron identitetin e këtyre personave, por për arsye të sekretit hetimor nuk i bën me dije.
Motivi i vrasjes dyshohet të jetë një sherr i vitit 2012, ku Antonio alias Renato Sanaj, vëllai I viktimës, plagosi rëndë me armë zjarri Gentian Kolën, vëllain e autorit.