Rreth 29 mijë minimaturantë do të zhvillojnë sot provimin e parë të detyrueshëm, atë të lëndës së Gjuhës Shqipe.

Provimi do të zgjasë 2 orë e 30 minuta (10:00-12:30), teksa nxënësit duhet të paraqiten në shkollë në orën 09:00

Provimet shënojnë fazë të rëndësishme në formimin e nxënësve ndërsa ata përgatiten të nisin studimet e nivelit të dytë.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ka uruar të nxënësve suksese, teksa ka theksuar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për mirëmbajtjen e procesit.

“Rreth 29 mijë nxënës nisin sot Provimet Kombëtare të Arsimit Bazë, ndërsa i kemi marrë të gjitha masat nëpër shkolla që ky proces të jetë i qetë, i rregullt, korrekt dhe të gjithë nxënësit të kenë mundësi të barabarta për të dhënë më të mirën nga vetja e të nisin plot sukses një cikël të ri në arsimimin e tyre”, shkroi Kumbaro.