Mësuesit e rinj do t’i nënshtrohen provimit të shtetit në muajin tetor. E megjithatë, në Ministrinë e Arsimit janë ngritur grupet e punës që do të hartojnë fondin e pyetjeve. Duke iu referuar udhëzimit të MASH, testit të shtetit do t’i nënshtrohen vetëm mësuesit që ndjekin praktikën profesionale në shkolla. Në të kundërt, sipas tij, asnjë i diplomuar në këtë fushë nuk do të ketë të drejtë të testohet. Zyrtarisht, thuhet se në Ministrinë e Arsimit janë angazhuar rreth 50 pedagogë të shkollave të larta, të cilët do të hartojnë pyetjet për rreth 15 lëndë.


“Për çdo lëndë parashikohet të hartohen rreth 2000 deri në 3000 pyetje. Veçoria e këtij provimi është se për çdo mësues  pavarësisht nga lënda, një pjesë e tezës do të jetë drejtshkrimi dhe përgatitja didaktiko-pedagogjike. Pjesa tjetër do të jetë nga lënda ose lëndët ku kandidatët japin mësim, e ndarë kjo në 40 për qind me 60 për qind”, sqarohet në njoftimin zyrtar të MASH-it.


Specialistët e këtij institucioni shpjegojnë se procedurat e testit të mësuesisë do të jenë të ngjashme me ato të provimeve të tjera të shtetit, të cilat do të zhvillohen në mënyrë dixhitale. Në provim do të marrin pjesë vetëm kandidatët që janë vlerësuar pozitivisht në praktikën profesionale nga komisionet e shkollave dhe drejtoritë arsimore rajonale. Kështu, ata të cilët nuk e kanë frekuentuar stazhin apo ata që janë vlerësuar me rezultate të dobëta do të testohen në sesionin e dytë të provimeve të shtetit, kundrejt një pagese më të lartë se e para.


Sipas ekspertëve të arsimit, të drejtën për të aplikuar për vendet e lira të punës në shkollat e ndryshme të vendit do ta kenë vetëm mësuesit që quhen kalues në testin që do të zhvillohet në tetor.


Në rregulloren e provimeve të shtetit sqarohet se kandidati ka të drejtë të testohet deri në 5 herë maksimumi, ndërkohë që ai do të jetë me shkrim dhe me gojë. E megjithatë, 5 mundësitë që ofron Ministria e Arsimit për të mos ndëshkuar rëndë të diplomuarit kanë kosto. Kështu për kandidatin që testohet për herë të parë, vlera është 30 mijë lekë, për herë të dytë kjo shifër shkon në 50 mijë lekë të vjetra. Kandidati që e ka për herë të tretë do të paguajë 80 mijë lekë, për herë të katërt 100 mijë lekë dhe për herë të fundit kjo shifër është katër herë më e lartë nga testi i parë, duke arritur vlerën e 120 mijë lekëve. 


Teza: Pyetjet e testit do të hartohen nga 50 pedagogë të universiteteve publike në vend, për rreth 15 lëndë