Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar pas incidentit të mëngjesit të sotëm në kufijtë e NATO-s, ku tre avionë luftarakë rusë Mig-31 shkelën hapësirën ajrore të Estonisë.
Në një postim në platformën X, Spiropali theksoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë dhe të aleancës atlantike për vendin baltik:
“Thellësisht të shqetësuar për shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga tre avionë luftarakë rusë Mig-31 këtë mëngjes. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me aleatin tonë, Estoninë. NATO mbetet e bashkuar kundër provokimeve të Rusisë,” shkroi ministrja.
Shkelja e hapësirës ajrore estoneze vjen vetëm pak ditë pas dy incidenteve të ngjashme në kufijtë lindorë të aleancës, duke rritur tensionet mes Moskës dhe vendeve të NATO-s. Aleanca ka bërë të ditur se po monitoron nga afër çdo lëvizje të forcave ruse në rajon.