Pas mbylljes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve, kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla ka deklaruar se nga ana e tyre nuk ka pasur dakordësi me mënyrën sesi u soll raporti i PD, ku i kërkonte Kuvendit që të hiqte imunitetin e Belinda Ballukut.
Balla tha grupi parlamentar i PS do të bëjë një mbledhje, e më pas do të dalin me një raport në emër të 5 deputetëve socialistë, anëtarë në Këshillin e Mandateve.
“Diskutimi i sotëm, pyetjet, mendoj se kanë hedhur dritë mbi shumë çështje që lidhen me elementë thelbësorë të Kushtetutës, prezumimit të pafajësisë. Në përfundim duke qenë se pala tjetër s’kishte nevojë për shqyrtim se e kishin marrë vendimin para shqyrtimit, në emër të 5 deputetëve të PS unë kam informuar këshillin e mandateve se sa i përket propozimit të grupit të PD, ne nuk ishim dakord me atë mënyrë sesi është propozuar. Do të kemi një diskutim në një mbledhje të grupit parlamentar, sepse nuk e jep autorizimin këshilli por seanca plenare. Pas atij komunikimi, kolegu Manja do të hartojë raportin në emrin tonë”, tha Balla.



