Partia Socialiste po shkon drejt refuzimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për marrjen e autorizimit në Kuvend për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Edhe pse PS ka deklaruar se raportin e saj do ta paraqesë në seancë, socialistët argumentojnë se pezullimi nga detyra që Gjykata e Posaçme i ka vendosur Ballukut është një masë e mjaftueshme. Ndërkaq, PD ka dorëzuar një raport ku kërkon që në seancë plenare të votohet pro heqjes së imunitetit të zv.kryeministres.

SPAK u përfaqësua në mbledhjen e Këshillit të Mandateve nga drejtuesi Klodian Braho dhe dy prokurorët që po hetojnë Ballukun, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Nga ana e Ballukut, mbrojtja u përfaqësua nga avokatët Pamela Qirko dhe Ardian Kalija.

Pas përfundimit të mbledhjes, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se pesë anëtarët e PS-së refuzuan ta aprovonin kërkesën e SPAK, duke shtuar se kështu po pengohet drejtësia.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, theksoi se raporti i PS do të hartohet pas mbledhjes së grupit parlamentar, duke respektuar kushtet e prezumimit të pafajësisë dhe duke vlerësuar se masa e pezullimit të Ballukut është e mjaftueshme për hetimin.

Mbrojtja e zv.kryeministres gjatë mbledhjes ka mohuar çdo mundësi për arratisje apo prishje të provave, duke theksuar se Balluku ka dorëzuar të gjitha dokumentet personale dhe ka zbatuar masën e pezullimit.

Në një zhvillim tjetër, SPAK ka vendosur të mos nisë hetime ndaj Niko Peleshit, kryetar i Këshillit të Mandateve, për kallëzimin e bërë nga PD, pasi nuk u gjetën elementë të shpërdorimit të detyrës.