Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar një email deputetëve pak ditë më parë, ku ka përfshirë edhe një listë me personalitetet e vendit që kanë lindur në muajin tetor dhe që duhen nderuar.

Gjatë Konferencës së Kryetarëve, deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj akuzoi deputetët e Partisë Socialiste, se në në grupin parlamentar të PS ka hetues të komunizmit.

“Ju duhet të mbani përgjegjësi morale për futjen e figurës së Enver Hoxhës në kanalet Kuvendit të Shqipërisë. Po kujtoj këtu atë që ka thënë Dritëro Agolli ‘Partia Socialiste ka lindur nga mitra e përgjakur e Partisë së Punës’. Ju këtu jeni trashëgimtarë të asaj diktature, në grupin tuaj parlamentar ka hetues të komunizmit.

Prandaj ajo çfarë ka ndodh në kuvend fyen besnikërinë e shqiptarëve për të falur e jo për të harruar. Fyen kujtimin e martirëve. Prandaj është në nderin tuaj të distancoheni”– tha ai.